Hyrje

Me e pasë ndër duar Potpurin do me thanë me pasë shumë gjana në të njajtën kohë. Nji përzirje e erëzave, apo nji konglomerat i shijeve, e i përvojave të mbërthyera diku në mes Prishtinës dhe Cyrihut. 

Përpilimi ideator i këtij projekti ka nisë qysh në tetor të 2021-tës, me qëllimin për me e siguru nji platformë (online dhe fizike) që asht’ e qasshme dhe që i adreson krejtë grup moshat e formacionet, dhe prekë urgjenca të ndryshme. Disa prej këtyre urgjencave janë: thymja kuptimore e qasjes elitare, e dijes dhe e produktit kulturor në Kosovë; formalizimi i temave që na randojnë ama nuk e kemi nji platformë ku mundemi rahat me i folë gjanat e me na ndëgju dikush; apo krejtë sistemi ynë i edukimit formal që na kufizon prej marrjes së dijes e eksperimentimit; a veç ajo nostalgjia që e kemi për prodhimin e gazetave që tash nuk mundemi me i hasë ma n’Kosovë. 

Përmes kontributit tonë për me e ba të mundun fillesën e këtij printimi, po bajmë hapin e parë me njetin për me kriju nji aso platforme që vazhdon me u publiku e me u nda me të tjerët. Nji platformë që nuk ka frikë nga pasiguria apo kufizimet qofshin kulturore apo financiare në sistemin Kosovar. Por që vazhdon me gjetë udhë për reflektim e riformulim të praktikave të shkrimit e të dokumentimit, ani pse me mjete te lira ama kualitative, tuj i ba bashkarisht e tu çelë rrugë. 

Potpuri ta ban ftesën ty si lexues që të bahesh kreatori i saj, i’a ban ftesën edhe kontribuesit të tejçoj dituni, të jetë i hapun e të transformohet me temat e me pyetjet, me burimet e mjetet që ambienti mundet me i’a siguru. 

Qëllimi i saj asht me u dashtë e me u pëlqy prej nji publiku të lloj-llojshëm që në këtë mënyrë ajo me e përmbushë nevojën e vet. 

Secila prej kontributeve asht ba t’uj kalu nëpër diskutime të gjata mujore mbrenda grupit, ku për çdo hap asht kujdesë ma shumë se nji person, qashtu krejt bashkë kolektivisht. Gjithashtu, këto kontribute janë frymëzu prej shumë folësve e profesionistëve të cilët ndanë dituninë e rrëfimet e tyne me ne. 

Potpuri asht këtu për ty pa pagesë që ti me e shiju, asht këtu për ty me fillu nji prag të ri të praktikave të publikimit në Kosovë. 

Grupi punues i Termokissit dhe Fakulteti për studime Transdisiplinore të nivelit master në Universitetin e Arteve të Cyrihut

nga the Editorial Team

Leave a Reply