Bazuar në artikullin:
Brendimi i kombit, Zhvillimi Neoliberal
dhe Rikrijimi i Shtet-Kombit:
Mësime nga Kosova e Pasluftës
Nga Nadia Kaneva
Kur je duke ecë rrugëve të Prishtinës si Prishtinas, e skenon me sy vendin mirë dhe je gjithmonë në gjendje gadishmërie për të përshëndetur njerëzit që i takon në rrugë, qofshin familjarë apo miq. Qyteti është aq i vogël sa që pothuajse nuk mundesh me e hedhë hapin pa taku disa nga miqtë e shkollës për të cilët nuk jeni as të sigurtë se si ju kryqëzuan rrugët.
Më pas ti vazhdon me ecë përgjatë sheshit Nënë Tereza, ju mundeni me pa kohë pas kohe se si ata që nuk janë vendas dallohen vetëm nga shprehja e tyre e fytyrës krejtë kurioze me kokën lartë, sidomos gjatë kësaj vere ku Prishtinën e kanë vërshuar turistët kulturorë. Kur arrini në fund të sheshit të ngarkuar, ju pyetni veten, krejtë mëdyshje, se si ka mundësi që na ka pushtu e verdha, prej nga dreqin po vijnë këto tulla të verdha dhe për çfarë arsye?
Në koken time shpërthen diçka, si një kokoshkë që vlon nga i nxehti, kur shoh që krejtë hapësirat janë kthyër në të verdhë. Aty mendoj si ka mundësi që ne ende nuk kemi mundur ta kontekstualizojmë se si Kosova u bë qilim i shtruar në krejt copëzat e munguara të kampanjës Kosova – Evropianët e Rinjë.
Kësisoj, kur e mendoj këtë gjë, nuk mundem me e arsyetu ndryshe këtë mendim që më sillet, vetëm duke i thënë vetes se krejt ky reklamim i është dediku fëmijëve sepse është aq joproporcional dhe naiv sa që është e pamundur që dikush me tru në kokë të paguajë 5.7 milion Euro për të.1 Kosovarët kanë reaguar për këtë absurditet por siç ndodhë rëndom edhe kjo u trajtua si drama ma e fundit e një telenovele që nuk mbaron kurrë. Punë e madhe! Ne kemi dëshirë me pa repriza të dramave e, edhe historinë që përsëritet e përsëritet ironikisht!
Dhe ja ku jemi edhe pas gati 15 viteve të këtij absurditetit të pushtimit të verdhë, i kushtojmë këtë artikull. Duke e kontekstualizuar ne i japim shtysë nevojës për reflektim. Sepse kjo prezencë “e së verdhës” nuk është me pahir, prezenca e saj është e menduar mirë, një orkestrim tejet i gjerë, s’është që nuk jemi të vetdijshëm për këtë, ndonëse refuzojmë të reflektojmë e ta riprodhojmë.
Një orkestrim që kishte me u barazu me pagat e ulëta e me punën 48 orëshe, a dycanet private që shesin çanta fallso Guçi. Kur na hapareshemi në këtë shtytjen tonë ndaj tregut e ekonomisë globaliste, në anën tjetër kemi këtë shoqëri të hareshme e rinore e cila ekspolatohet e shfrytëzohet në emër të idesë Perëndimore, duke jetu në andrrën se ti i përket një shoqërie demokratike, të pavarur dhe të pa kushtëzuar.
Përgjatë këtij iluzioni për demokracinë — me Kosovën si shtet i pasluftës qe 22 vite, pas luftës së 1999 diskursi ka qenë i ndarë preraz në mes të zhvillimit të të ashquajturave para luftës dhe pas luftës, me kulmimin e kësaj periudhe të fundit me “pavarësinë” dhe identitetin e një shteti të ri të sapolindur.
Ideologji e propagandë që osht riporodhu sa herë që Kosova ka hy në “tranzicione”, sikurse duhemi me kujtu ideologjinë “Shkatrro të vjetrën, ndërto të renë”, kështu më kujton e njejta ideologji e Newborn-it.
Deri më sot, përgjatë këtyre 22 viteve të fundit, jemi quajtur ose shtet në zhvillim ose shtet në tranzicion. Duke i thënë vetes (apo më mirë të them siç na është mësuar) — se ku jemi dhe ku kemi qenë nuk është kurrë e mjaftueshme dhe se tranzicioni në një shtet më të qëndrueshëm kapitalist do të ishte shpëtimi ynë dhe çmimi i krejt kësaj qështje është puna 48 orëshe duke shitur çanta gucci.
Por pyetja ime është çfarë është saktë ky “zhvillim”
dhe në çka në të vërtetë po tranzicionohemi,
për cilin qëllim?
Si funksionon tranzicioni për shtetet në zhvillim?
Siç është tipike për agjendat neoliberale, integrimi i çështjeve shoqërore dhe politike në qëllimet ekonomike bëhet përmes strategjive të bazuara në treg të hapur. Kjo nënkupton që kauza (shoqërore dhe politike) duhet gjithsesi të gjenerojë kapital të çfarëdo forme. Kosova e pasluftës kishte shoqëri, ekonomi dhe infrastrukturë të “shkatërruar”, andaj dhe u bë pika e nxehtë e strategjive të zhvillimit dhe organizatave ndërkombëtare — organizata të cilat e kanë të rrënjosur misionin transkombëtar dhe agjendat operacionale me qëllim mbështetjen e “çështjeve në zhvillim”.
Në vitet e 90ta, Banka Botërore e konsideruar nga disa si “faktori më me ndikim i teorisë së zhvillimit” lajmëroi një ndërrim në kornizat e veta konceptuese për zhvillim.2
“Paradigma e re” u elaborua në dokumente të shumta dhe fjalime publike nga Presidenti i BB James Wolfensohn. Kjo paradigmë shtynte fokusin paraprak ekskluziv të Bankës në politikat e rritjes makroekonomike dhe tani thërriste për integrim më të madh të faktorëve politikë dhe shoqërorë me qëllime ekonomike si pjesë e Kornizës Gjithëpërfshirëse të Zhvillimit.3
Ndryshe nga shumë organizata transkombëtare, Banka Botërore kërkonte që për të ndodhur reformat dhe proceset duhet të ekzistojë mbështetja aktive e qeverive kombëtare që të arrihen sukseset në qëllimet e zhvillimit. Ngjajshëm edhe organizata si Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Fondi Monetar Ndërkombëtar (IMF) dhe Banka Botërore (WB) proceduan me qëllimet e agjendat e tyre për zhvillim duke përdorur konceptin e shtet-kombit nën kornizën e zhvillimit shoqëror dhe politik. Këto organizata transkombëtare nuk janë të interesuara në çdo shtet-komb të sapoformuar apo çfardo shtet-kombi tjetër. Interesi i tyre në veçanti është një formë e shtet-kombit që më së miri mund të lulëzojë përmes agjendave neoliberale – ato permes rikrijimit, ribrendimit dhe rizbulimit të kombit të ri.6
Kështu, Kosova si një rajon i sapo “liruar” nga ndërhyrja e NATO-s, në sytë e këtyre organizatave transnacionale, Kosova u bë konteksti i cili varej shumë nga ndihma (aid) dhe ku zhvillimi, ndërtimi i kombit dhe brendimi i kombit duhej të ndodhin njëkohësisht.7
Në praktikë kjo do të thoshte se brendi i Kosovës si shtet-komb po përdorej si një mjet për zhvillim ekonomik dhe si mjet për krijim të identitetit kolektiv, objektiva të cilat nuk mund të shkëputeshin nga njëra-tjetra.8
Megjithatë, varësia nga ndihmat (aid) nuk do të thotë që Kosova si shtet-komb duhej të rrinte duarkryq dhe mos t’i bindej kushteve brenda kornizave të këtyre planeve zhvillimore. Përgjatë fazave të zhvillimit, ka pritshmëri nga shtetet-kombe si “brende” që të kenë përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e tyre duke tërhequr investime kapitale të huaja, duke siguruar bashkëpunim ndërkombëtar dhe duke mobilizuar qytetarët në shtëpi si dhe ata në diasporë për të “jetuar brendin”.9
Për të kuptuar se si ndodhë ky proces, do ta ndajmë atë në tri kategori:
Komunikimi për zhvillim:
Programet zhvillimore fokusohen në implementimin e programeve brendim-kombi ku prioritet i agjendës së shtetit bëhet rritja e investimeve (kapitale) të huaja me rezultate të prekshme dhe të “matshme”, apo përmes rritjes së turizmit në shtet.10
Prandaj, dhjetra-mijëra agjenda përgatiten për të komunikuar se për çfarë bëhen planet zhvillimore dhe se si ato maten në numra. Tipike për këtë qasje janë konferencat jashtëzakonisht qesharake që mbahen në Kosovë, ku neve si vendas na ofrohet mundësia të “edukohemi” për zhvillimin, na ofrohet mundësia të hamë një shujtë falas, kohë pas kohe të udhëtojmë diku e ndonjëherë madje na ofrohet mundësia edhe të themi diçka në tavolinën e takimit!
Komunikimi rreth zhvillimit:
Përmes brendimit të kombit, programet zhvillimore synojnë të krijojnë dhe të komunikojnë me efikasitet qëllimet kombëtare përmes paradigmave të orientuara në market. Kjo nënkupton që institucionet dhe qeveritë zhvillojnë diskurse dhe kampanja që prekin larg kah e ardhmja dhe kanë qëllim të bindin qytetarët që një e ardhme e ndritur do të vijë dhe se përmes programeve te brendimit të kombit, zhvillimit kapitalist dhe tregut të hapur do të bëhet realitet. Kështu, duke zhvilluar legjislatura të cilat e zbusin rrugën për zhvillim të ekonomisë kapitaliste.11
Shembull konkret i këtij fenomeni mbetet absurditeti i njohur i kampanjës si Kosovo – The Young Europeans. Apo më konkretisht zhvillimin e ligjeve për shfrytëzim dhe qasje të hapësirës komunale publike apo atë shtetërore përmes Agjensionit të Privatizimit të Kosovës si risurse me prioritet për zhvillim ekonomik.
Komunikimi i zhvillimit:
Me James Pamment është shtuar një dimenzion i tretë ku diplomacia publike kontribuon në intrumentalizimin e komunikimit të zhvillimit. Në formulimin e Pammentit, komunikimi i zhvillimit definohet si “brendimi, marketingu dhe promovimi i aktiviteteve të ndihmës ndaj qytetarëve të huaj dhe palëve të interesuara vendase në një mënyrë të tillë që e mbështet reputacionin dhe imazhin e akterëve”.12 Nëse në njërën anë institucionet vendore instrumentalizojnë diskurset e brendimit të kombit me qëllim të ndërtimit të reputacionit (zakonisht të partive politike), e në anën tjetër organizatat transkombëtare e përdorin po këtë situatë si diplomaci publike që e përmirëson reputacionin e tyre. Shpesh përmes instrumentalizimit aq të tepërt të institucioneve vendore sa që vendimmarrja dhe agjendat politike i paraprijnë çfarëdo forme të demokracisë. Shembulli më tipiku dhe më i përhapuri në Kosovë i po kësaj qasje është ndikimi i misioneve të huaja dhe fuqisë që e kanë ambasadat në Kosovë.
Si ndodhi tranzicioni në një shtet të verdhë (kapitalist)?
Zakonisht e verdha simbolizon lumturinë, ngrohtësinë, rrezet e diellit, inspirimin nga dielli e poashtu edhe pasurinë që reflekohet në ar. Sot mund ta lejojmë veten të themi që simbolizon Kosovën apo thënë edhe më mirë e simbolizon Evropën para Kosovës. Në ambientin e zakonshëm të botës bashkëkohore, e verdha simbolizon të qenurit “cool” e që provon të riprodhojë ambientin e punëtorëve (e verdha si identifikim ndaj punëtorëve për shembull konkret mund t’i referohemi lëvizjes së “yellow vests” në Francë).
Kur u bë thirrja e hapur për dizajnimin e flamurit të Kosovës në 2008, në rrethin e ngushtë mbetën 3 propozime të preferuara. Secila nga të trija theksonte simbole në reprezentim të etnisë shqiptare si popullatë shumicë. Propozimi i zgjedhur si i pari theksohej me yjet e verdhë, hartën e Kosovës dhe të kaltërtën evropiane. Pas intervenimit të përfaqësuesëve të “qytetarëve të Kosovës” ata zgjodhën që ta modifikojnë këtë verzion duke i bërë të gjitha yjet e barabarta për të përfaqësuar etnitë që jetojnë në Kosovë dhe duke ndryshuar hartën e Kosovës nga e bardha në të verdhë. Nëse ndalemi të pyesim vetën për estetikën e të verdhës pa i kuptuar kushtet që e bënë Kosovën shtet të pavaruar, nuk mund të gjejmë terren ku mund të kontekstualizojmë pse na pengon kjo e verdhë, apo pse ka ndonjë rëndësi kjo temë në vend të parë.
Çfarë na intereson neve nuk është domosdoshmërisht e verdha por janë praktikat e dizajnimit.
Dizajnimi në kuptimin e krijimit, ekzekutimit dhe ndërtimit në bazë të një planit. Dhe prapa këtyre ideve të dizajnit — në bazë të planit të kujtë u krijua, ekzekutua dhe ndërtua Kosova si një shtet i pavarur? Çfarë do të thotë kjo për të tashmen tonë dhe vazhdimin e agjendave të riprodhuara neoliberale?
Me trashëgiminë e gjatë socialiste nën Jugosllavi, Kosova e fitoi pavarësinë e vet, pjesërisht të njohur, më 17 shkurt 2008, vite pasi ishte nën administrimin e Misionit në Kosovë të Kombeve të Bashkura (UNMIK).
Me ndërhyrjen e NATO-s në 1999 dhe çlirimin e Kosovës nga lufta, menjëherë pas, u krijua Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ku krijoi strukturat e veta qeveritare me misionin për të krijuar qëndrueshmëri në regjion dhe rindërtim të këtyre infrastrukturave.13 Prezenca e UNMIK-ut në Kosovë përgjithësisht është pranuar dhe kontestuar lehtë në nivel kombëtar. Kjo ndodhi pasi ata dijnë mjaft mirë si të ndërtojnë një sistem ku strukturat e tyre do të krijonin varësi në institucionet e Kosovës dhe ku historia e gjatë perëndimore e agjendave imperialiste nuk do të bëhej kurrë pjesë e diskursit të përditshëm të një kosovari. Këtu nuk po i referohem sikurse “kontestim i lehtë” në nivel kombëtar në kuptimin e diskursit politik. çfarë mendoj me “konstestim i lehtë” në nivel kombëtar është trashëgimia që madje edhe sot është prezente në Kosovë – që të qenurit njeri i bardhë apo përendimor kulturalisht ende nënkupton që je njeri më i mençur dhe superior.
Përgjatë prezencës së UNMIK-ut në Kosovë, statusi i Kosovës mbeti i paqartë deri në mars të vitit 2004 kur shpërthimi i trazirave në Kosovë u bë zile për veshët e komunitetit ndërkombëtar.14 Ky reagim filloi jo vetëm se Kombet e Bashkuara ishin të preokupuar me kosovarët apo trazirat në Kosovë por sepse Kombet e Bashkuara ishin në këto momente duke “qeverisur” Kosovën.
Rrjedhimisht, në vitin 2005 Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara merr vendimin që të caktojë Martti Ahtisaarin, një diplomat finlandez, për të shërbyer si i Dërguar i Veçantë dhe ndërmjetësues i negocimeve mes qeverisë së përkohshme të Kosovës dhe qeverisë së Serbisë. Një vit më vonë, negociatat filluan dhe dështuan për të sjellur ndonjë marrëveshje të arsyeshme.
Andaj, në mars të 2007-ës Ahtisaari i shkruan Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara me një zgjidhje që thoshte se i vetmi opsion për të përfunduar situatën aktuale në Kosovë është që Kosovës t’i ofrohet “pavarësia nën mbikqyrje ndërkombëtare”.15 Në të njejtin raport për situatën në Kosovë, Kombet e Bashkuara morën edhe Planin e famshëm të Ahtisaarit (Propozimi Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës) që specifikonte një numër dispozitash që Kosova duhet të ndjekë për të fituar pavarësinë e saj të mbikqyrur. Andaj këto dispozita u bënë baza e Kushtetutës së Kosovës së Pavarur në 2008. Korniza që u vendos për të krijuar shtetin e Kosovës u shkruan nën Nenin 1 të Planit të Ahtisaarit e që përfshinte 11 parime të përgjithshme, një prej të cilave është më me interes për tekstin tonë. Neni 1.4 i Artikullit 1 që mandaton se “Kosova duhet të ketë një ekonomi me treg të hapur dhe konkurencë të lirë”.16 Një deklaratë tjetër që u përfshi në Kapitullin 1 të Kushtetutës së Kosovës që demonstron bindjen e shtetit të Kosovës për të ndjekur dispozitat.17
Si pasojë, Kosova merr përsipër sfidën e dizajnimit duke u bërë shtet që plotësisht mishëron vlera kapitaliste përmes ekonomisë së tregut të lirë duke legjitimizuar rrugën për modelin neoliberal të zhvillimit ekonomik që varet ngushtë nga investimet kapitale të huaja. Kjo jo vetëm nga investimet kapitale dhe sektori privat, por duke e legjitimuar tregun e hapur në kushtetutën e shtetit, si qasje që vazhdon të jetë e veqant dhe rrallë herë e aplikushme. Për ta theksuar, ky proces ka filluar shumë më herët me trashëgiminë shoqërore të Kosovës komplet të zhdukur pas krijimit të Agjensisë Kosovare të Mirëbesimit në vitin 2002, e porositur nga UNMIK-u. Kosova apo thënë më mirë shtetet e Kombeve të Bashkuara i kanë hapur vetes dyertë e ekonomisë së tregut të hapur me konkurencë të lirë me qëllim që të privatizojnë 500 Ndërmarrje në Pronësi Shoqërore me rreth 60 000 punëtorë funksional. Asnjë nga hapat e ndërmarrë nuk ka përfshirë diskutime apo nuk ka pasur procese vendimmarrëse që përfshijnë edhe qytetarët e Kosovës.
Ndonëse kemi arritur pajtueshmërinë për shpalljen e pavarësisë së shtetit tonë, me kusht të krijimit të institucioneve demokratike qeverisëse, mandatet e Planit të Ahtisaari-t nuk kanë qenë temë e negocimeve e as të përfshira në procesin demokratik të ndërtimit të këtyre dispozitave.19 Ahtisaari u quajt profesionist në terma e sens perëndimor, sepse ne si kosovarë dijmë mjaft shumë për ndërmjetësim mirëpo nuk kemi qenë pjesë e negocimeve, pasi në këtë proces kemi qënë të referuar si “objekti i hulumtimit”. Ah, sikurse Ahtisaari do të dinte diçka për ekstraktim të njohurisë apo etnografinë kolonalizuse, po them që këto paterna kanë pushtuar botën, jo vetëm Kosovën. Nejse. Poashtu, fenomeni tjetër që u aplikua në Kosovë për të arritur të bëhet shtet-komb dhe që nuk ka qenë i cekur është qasja klienteliste që kjo qasje imperaliste e tillë themeloi apo mbështeti që të krijohet në Kosovë. Miratimi i planit të Ahtisaari-t ishte çmimi i elitave të Kosovës të pasluftës duhej të pranonin të paguanin për të siguruar mbështetjen perëndimore për të drejtën e tyre për të qeverisur në territorin e Kosovës.20 Kështu, duke lejuar krijimin e privatizimit dhe fuqinë e kapitalit të paraprijë çdo proces apo pjesëmarrje demokratike në dizjnimin e shtet-kombit të qujtur Kosovë. Implikimi i progresit dhe diskurseve të lulëzuara për demokracinë gjatë asaj periudhe ndërtuan figura dhe qasje autoritare në të gjitha agjendat e ndërtuara në emër të zhvillimit (politik, ekonomik, kulturor dhe artistik) të Kosovës.
Përdorimi i brendit të kombit poashtu duhej të justifikohej brenda vendit dhe kjo u bë përmes “diskursit publik” të nevojës për transformim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës. Që nga nëntori i 2008-ës—vetëm nëntë muaj pas shpalljes së pavarësisë—Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), një qendër mendimi (Think Tank) me bazë në Prishtinë dhe e themeluar nga donatorë perëndimorë, publikoi një raport të quajtur Image Matters! (Imazhi ka Rëndësi) që shtyu qeverinë kosovare të shtinte në përdorim brendimin e kombit për të arritur të merret me sfidat kryesore me të cilat merrej shteti.21 Raporti argumentonte se:
Për të rritur numrin e shteteve të cilat njohin Kosovën, për të ndikuar opinionin publik në Evropë dhe për të vepruar në mënyrë efektive në skenën ndërkombëtare, qeveria e Kosovës dhe shoqëria civile duhet të kuptojnë më mirë problemin e imazhit dhe të ndërtojnë një “brend ndërkombëtar”. (IKS 2008, fq. 8)
Për të arritur Kosova këtë nacionalizëm komercial, vetëm një vit pas pavarësisë, qeveria e Kosovës me buxhetin e vet absurd të vogël vendosë të alokojë 5.7 milionë Euro në një fushatë gjithpërfshirësve për brendim të kombit. Siç thotë IKS për rregullimin e problemit me imazh, problem që ne nuk e kuptojmë aspak, pse është problem të luftojmë për liri, pse është problem të kërkojmë autonomi dhe pse jemi ne ata që duhet të paguajmë për racizmin perëndrimor dhe paragjykimin ndaj Kosovës?
Kështu, një thirrje e hapur shpallet, atë për brendimin e shtetit të ri të Kosovës. Duke qënë të bindur që kjo thirrje e hapur për një imazh dhe brendim të ri të Kosovës do të lejojë njerëzit të “besojnë” se Kosova tani “din” si të aplikojë demokracinë. Të bindur që formati i një thirrje të hapur reflekton demokracinë, ndonëse këto thirrje të hapura kanë qenë jashtëzakonisht kufizuese dhe të qëllimshme me agjenda të pastërta ndërkombëtare. Me një thirrje të hapur e justifikuan procesin më kompleks njerëzor, atë demokratik! Apo me disa mijra komente online, në një shtet me miliona banorë! Kritikë të ngjajshme për agjendat neoliberale mund t’i japim edhe dizajnimit të flamurit të Kosovës. Sido që të jetë, thirrja e hapur u fitua nga BBR Saatchi & Saatchi Tel Aviv, një kompani me bazë në Izrael. Qëllimi i thirrjes ishte që të arrihet një audiencë më e gjërë përmes videos, printimeve, eventeve me posterë etj. Kampanjë e qasje e cila zgjeronte dhe zmadhonte atë të Newborn-it.22 Më e njohura nga kjo kampanjë promovuese është një video një-minutëshe ku Kosova bëhet absurditeti i një shteti të verdhë ku të rinjë “cool” nga Kosova e bëjnë punën për të. Çfarë ironie, sot e jetojmë ende këtë fakt, ata ideojnë, ne punojmë! Zyrtarisht pushtimi imperalist i Kosovës filloi dukjen internacionale publike me Kosovën që publikisht bëhet shteti kapitalist i verdhë, saktësisht siç e lejon qasja neoliberale: “një shtet në të njejtën kohë brenda dhe jashtë Evropës”. Një shtet i verdhë që mirëpret korporatat më shfrytëzuese kapitaliste për të ndërhyrë përmes metodologjive të treg të hapur dhe për të bërë kosovarët të mirë sërish!
Për çfarë përfundimi dhe për ku?
Si kosovarë, ne mbajmë përgjegjësinë e prindërve tanë për tu mbajtur në shpresën e madhe që e kemi trashëguar, një shpresë që bërtet – të heqim dorë nuk është opsion. Përgjatë netëve të gjata të mbushura me tregime të gjyshërve dhe stërgjyshërve, ata u siguruan që këto tregime nuk na kalojnë përmes veshëve pa mbetur edhe në venat tona. Ne, rinia e Kosovës, nuk mundemi vetëm të mbajmë distancë. Nuk është zgjedhje vullnetare të shpalosim veten nga lëkura që është shtresuar për kaq gjatë.
Por lufta e sotme, nuk është ajo për të cilën kemi dëgjuar tregime, “kundërshtari” i ri nuk është njohur mjaftushëm më parë.
Nën një Kosovë neoliberale, tokat dhe burimet nuk i kanë takuar automatikisht institucioneve apo qeverisë që në mënyrë demokratike do t’i lejonte qytetarët t’i përdorin ato, të investojnë në to dhe të rriten përmes tyre. Në vend të kësaj, në një Kosovë neoliberale, qytetarëve të Kosovës iu prezantua koncepti i privatizimit, trajtimi dhe menaxhimi i këtyre resurseve përmes proceseve komplet jodemokratike. Përmes Agjensisë Kosovare të Privatizimit që trashëgoi të gjitha pronat shtetërore, ishte e mundur që e njejta pronë të përdorej nga qytetarët vetëm nëse i bashkangjiteshin procesit garues të blerjes së tokës nga ATK. Ne mundem të blejmë tokën tonë, kësaj here jo, me protestë apo me gaz lotsjellës, kësaj here me para. Ndërsa toka që ishte nën administrimin e asambleve komunale mund të kishte të drejtat ligjore të alokohej si pronë publike përmes ligjeve dhe proceseve që favorizonin vetëm e vetëm bizneset dhe në kuptimin e plotë të fjalës i jepnin falas prona publike bizneseve. Njejtë, të dy qasjet (qeveritë qëndrore dhe lokale) që u jepnin prioritet vetëm zhvillimit të ekonomisë, si prioritet shtetëror dhe si prioritet publik sic e quanin ata, e qujtun publike pa qenë kurrë e jona. Prap dua të them, neoliberalismi është fenomen kontradiktues në vetvete, konfuz pa asnjë të vetmen arsye, e po për atë arsye as nuk mund ta luftosh lehtë.
Dhe kështu, filloi krijimi i një ekonomie, jo që vetëm po shfrytëzojke tokat tona, apo të them me një term më perendimor, eksplotues i tokave tona, kjo ekonomi u dizajnua të na eksplatoj edhe neve bashkë me tokat tona. Një ekonomi që funksionon nga bizneset që shfrytëzojnë qytetarët e Kosovës duke i rrezikuar tërësisht, të pa mbrojtur ligjerisht, duke u lejuar të punojnë 48 orë në javë në kushte tërësisht të tmerrshme, pa kontrata pune, pa pushim me pagesë e asnjë siguri tjetër bazike. U eksplatuan tokat tona ligjërisht, e bashkë me to na eksplatuan bizneset neve e vazhdojnë të na eksplatojnë duke na shtyer në borgje të pafundme, në banka private të themeluara me inspirim nga Banka Botrore që sot qëndron në hapësirën publike në zemër të qytetit, e as që e dijmë se si i është dhënë në shfrytëzim.
Kështu kur prindërit tanë na tregonin tregimet e shpresës, ata nuk “e dinin” që “kundërshtari” i ri jo vetëm që do merrte tokën tonë, por edhe do e shiste atë ndonjëherë te një nga ne dhe më pastaj do të na shfrytëzonte duke na kthyer në forcën punëtore më të lirë në Evropë qoftë për kompanitë e tyre transkombëtare të Call Centers, apo kohë pas kohe do të na jepte neve shancën për të bërë biznesin tonë të çantave fallco Gucci. Krejtë kjo vetëm që ne t’i përkasim stileve “cool” të ndërmarrësisë globale. Krejtë kjo vetëm që ne të ndihemi pjesë e botës globale, botë e dominuar globalisht nga imperalizmi përendimor.
E verdha është ngjyra e gënjeshtrave. E verdha është ngjyra e qeverisë frikacake. Qeveri kjo e cila provon të na bindë se duke qënë pasiv dhe duke e konsumuar dramën e fundit të telenovelës në ekranin e tyre për një moment ne mund të mendojmë që e verdha do të kthejë hapësirat tona nga private në publike.
Për shkak të qeverisë sonë frikacake ne nuk mund vetëm të qëndrojmë pasiv dhe mos të dënojmë humbjen e trashëgimisë, humbjen e natyrës, dhënjën e hapësirave tona. Për shkak të qeverisë sonë frikacake e neoliberale ne nuk mund të qëndrojmë pa dënuar shfrytëzimin tonë tek bizneset shfrytëzuese të Gucci-t vetëm për hir të disa çantave të gërditshme që duken perëndimore. Për shkak se qeveria jonë frikacake vendosë të na shes tek spektakli i fundit i talentit, e kinse të na profesionalizoj aftësitë tona kreative. Për shkak se qeveria jonë frikacake nuk është e aftë të vërejë se janë bërë një nga ata. Për shkak se qeveria jonë frikacake mbijeton duke vjedhur nga ne dhe duke shitur tek ata. Për shkak se qeveria jonë nuk mund të reflektoj që është duke riprodhuar spektakle që i kemi përjetuar. Për shkak se qeveria jonë nuk mund të kuptoj që skena e pavarur s’ka nevojë për pavarësim. Për shkak se qeveria jonë nuk mund të kuptoj që qëndrueshmëria nuk vjen nga shitja jonë tek perëndimi. Për shkak se qeveria jonë nuk mund të kuptoj që ne nuk kemi nevoj të japim miliona për brendim të kulturës tonë, kulturë që vdes për një fond minimal vetëm për egzistim. Për shkak se qeveria jonë neoliberale e frikacake nuk mund të kuptoj që progresi që ata na shesin ne e kemi shtypë moti si kompleks shoqëror. Për shkak se qeveria jonë frikacake e neoliberale nuk mund të kuptoj që e verdha nuk është maskë ma.
Nga Njomza Dragusha
1 Kaneva, N. (2018). Palgrave Studies in Communication for Social Change Communicating National Image through Development and Diplomacy, 2018, p. 73-97 from https://doi.org/10.1007/978-3-319-76759-8_4
2 Sandbrook, R. (2000). Globalization and the Limits of Neoliberal Development Doctrine. Third World Quarterly, 21(6), 1071–1080.
3 Wolfensohn, J. D. (2005 [1999]). A Proposal for a Comprehensive Development Framework. In J. D. Wolfensohn (Ed.), Voice for the World’s Poor: Selected Speeches and Writings of World Bank President James D. Wolfensohn, 1995– 2005. Washington, DC: World Bank.
4 (Sandbrook 2000)
5 Dutta, M. (2015). Decolonizing Communication for Social Change: A CultureCentered Approach. Communication Theory, 25(2), 123–143.
6 (Kaneva 2018)
7 (Kaneva 2018)
8 (Kaneva 2018)
9 Aronczyk, M. (2008). “Living the Brand”: Nationality, Globality, and the Identity Strategies of Nation Branding Consultants. International Journal of Communication, 2, 41–65. Retrieved October 20, 2016, from http://ijoc. org/index.php/ijoc/article/view/218.
10 (Kaneva 2018)
11 (Kaneva 2018)
12 Pamment, J. (2016a). “Introduction.” In J. Pamment (Ed.), Intersections Between Public Diplomacy & International Development: Case Studies in Converging Fields (pp. 8–18). Los Angeles: Figueroa Press. Retrieved January 15, 2017, from http://uscpublicdiplomacy.org/sites/uscpublicdiplomacy. org/files/useruploads/u35361/Intersections%20Between%20PD%20 International%20Development_fnal.pdf.
13 (Kaneva 2018)
14 (Kaneva 2018)
15 (Kaneva 2018)
16 Ahtisaari, M. (2007b). Comprehensive Proposal for the Kosovo Status Settlement. Retrieved October 23, 2016, from http://www.esiweb.org/pdf/kosovo_Ahtisaari% 20Proposal%20.pdf.
17 (Kaneva 2018)
18 (Kaneva 2018)
19 (Kaneva 2018)
20 (Kaneva 2018)
21 IKS. (2008). IMAGE MATTERS! Deconstructing Kosovo’s Image Problem. Pristina, Kosovo: Kosovar Stability Initiative. Retrieved September 10, 2016, from http://kfos.org/wp-content/uploads/2011/10/Image-Matters-ENG.pdf.
22 Ströhle, I. (2012). Reinventing Kosovo: Newborn and the Young Europeans. In D. Suber & S. Karamanic (Eds.), Retracing Images: Visual Culture after Yugoslavia (pp. 223–250). Leiden, The Netherlands: Brill.