By Diona Kusari
M’u deshën 25 vjet për të kuptuar se si mund ta shpreh tregimin e ‘fshehur’ në ndjesitë e trupit dhe në nënvetëdije sa i përket të jetuarit në Kosovë gjithë jetën. Paaftësia ime për të gjetur dhe marrur hapësirën për të shprehur mendimet e mia më të cenueshme, për të qenë e lirë dhe e lehtë për sa i përket shprehjes trupore dhe autonomisë, deri vonë ka ndikuar shumë në dëshirën time për të shtyrë kufijtë e autoritetit, po aq sa edhe jam sjellur në një mënyrë të informuar dhe të kujdesshme me figurat e autoritetit dhe dinamikat e pushtetit.
Ky hulumtim është një përpjekje për të shtyrë kufijtë e autoritetit, duke huazuar nga disiplina të ndryshme studimi dhe duke mos pasur një metodologji saktë të strukturuar. Është një përpjekje për t’i dhënë hapësirë përvojës individuale dhe për të vënë në pah ideologjinë që rregullisht riciklohet brenda një trupi, për t’i dalë në ndihmë mënyrave të prodhimit të dijes ose të paktën për t’i shërbyer qëllimit të dukshmërisë së mënyrave alternative dhe periferike të të parit dhe të qenurit.
Në vetvete, ky hulumtim është një përpjekje për të medituar rreth asaj se sa i madh është zëri i autoritetit në mendjet e qytetarëve kosovarë (Superego1, “The Big Other”2), dhe sa prej etikës dhe moralit që ai mëton ne e përvetësojmë.
Ky shkrim është realizuar përmes reflektimeve dhe analizave të mia ndaj përgjigjeve të tre të intervistuarve (M, 33; F, 51; F, 28), duke matur qëndrimet e tyre në lidhje me tre pretendime që i kam bërë këtu. Këta njerëz i përkasin fushave të studimeve kulturore, artit dhe shkencës politike.
Për këtë hulumtim, i kam dhënë leje vetes të parashtrojë pretendime në bazë të asaj se çfarë ndjejë se janë tregimet mbizotëruese të jetesës në Kosovë. Natyrisht, për këto premisa nuk flitet asnjëherë drejtpërdrejt dhe fjalë për fjalë, por përkundrazi janë mesazhe që përcillen përmes të folurit dhe ndërveprimit të përditshëm dhe më vonë përqafohen a mishërohen në mentalitetin e tufës.
Me fjalë të tjera, çfarë thonë realisht njerëzit në Kosovë kur flasin?
A. Kërko leje për të qenë vetja
Nuk është e pazakontë që një vend me më shumë se gjysmën e popullsisë nën moshën 25 vjeç ka kaq shumë prej këtyre njerëzve që veprojnë nën idenë se “këtu nuk ka mbetur asgjë, unë duhet të largohem sa më shpejt që të jetë e mundur”. Unë besoj se kjo dëshirë vjen nga ndjenja e tjetërsimit që e kemi nga njerëzit e tjerë dhe rrjedhimisht mënyra se si ne përfundojmë duke i tjetërsuar apo duke mos i afirmuar të tjerët. Kontradikta në këtë shoqëri është se ju nuk mund të veproni dhe të shpreheni lirshëm pa pasur pas jush një sistem të fortë mbështetjeje ekonomike ose sociale, por në të njëjtën kohë pamundësia për t’u shprehur vjen nga të qenurit i varur financiarisht ose nga ideja e të jetuarit në një komunitet ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe të gjithë janë “duke ruajtur fytyrën e tyre (d.m.th. të gjithë flasin për të gjithë)”. Vëzhgimi im për dinamikën e kësaj shoqërie ka treguar se ne operojmë nën këto premisa të ‘fshehura’: 1. Çfarë është e drejtë dhe e gabuar është e njohur për të gjithë dhe duhet t’i qëndrojmë pas asaj, 2. Personi që kritikon apo personat që shprehin mendime në kundërshtim me të pasurit këtë të drejtë e këtë të gabuar, do të konsiderohen të papëlqyeshëm apo edhe të këqinj (d.m.th. mendimet personale konsiderohen të barabarta me personalitetin); 3. Ne flasim me njëri-tjetrin pa asnjë lloj kufiri të ndërveprimit (duke marrë guximin t’u tregojmë të tjerëve atë që është e drejtë për ta, në vend që të kemi dialog të sinqertë dhe kuptimplotë), duke pretenduar se i bazojmë argumentet tona në “një të vërtetë objektive” për të gjithë (për të cilën nuk flitet kurrë qartë). Për të testuar këtë premisë, i kam pyetur pjesëmarrësit në intervista tre pyetje që synonin të vlerësonin se sa të lirë ndihen për t’u shprehur, sa të lirë ndihen të jenë vetvetja në jetën private dhe publike, nëse mendojnë se kanë një qëllim në jetë dhe/apo janë të vetaktualizuar dhe nëse ndihen se për ta garantohet në këtë shoqëri. Gjatë diskutimit, njëri nga të anketuarit (M, 33) e përafroi lirinë e tij me mbështetjen nga prindërit e tij për të ndjekur profesionin e dëshiruar – pavarësisht se ky profesion nuk garanton siguri. Ai ka jetuar me prindërit gjatë gjithë jetës së tij dhe tha: “Asnjëherë nuk mund të jem i sigurt nëse jam vërtetë i lirë, apo prindërit e mi veçse e kanë krijuar një rrugë për mua, me të cilën unë isha i kënaqur. Për të ditur nëse jam vërtetë i lirë, mendoj se duhet të distancohem prej tyre”. Rrethi i miqve me të cilët unë jam rritur, duke më përfshirë edhe mua, në rininë tonë kishim “frikë nga hija jonë”, pasi që vazhdimisht druheshim të shprehnim ndjenjat tona dhe të zotëronim të vërtetën tonë e ndiheshim sikur nuk ishim kurrë të mjaftueshëm, unë mund të bashkëndjeja mjaft mirë me atë që ai tha më pas: “në vend që të kërkoja shumë (të drejta dhe liri), ia vura barrën vetes. Nga ana tjetër, elementi i shoqërimit tek unë u turbullua pak dhe fillimisht e kam lodhur veten me mendimin se unë nuk dija të përshtatesha në një qytet mjaft dinamik dhe kërkues. Megjithatë, koha që kalova vetëm, duke hulumtuar gjërat që më pëlqejnë, më ndihmoi të ndërtoj ndjenjën e përkatësisë në këtë botë.”
Një tjetër nga personat të cilët i kam intervistuar (F, 28) tha se ajo nuk besonte se kishte lirinë për të shprehur veten në rininë e saj, gjë që kishte rezultuar në një “ngërç emocional”. Ajo tha se: “Blloqet e mia emocionale kishin të bënin shumë me mungesën e shprehjes. Në atë kohë, mënyra ime e të shprehurit ishte kryesisht reaktive dhe me kalimin e kohës, përparimin akademik dhe ekspozimin ndaj kulturave të ndryshme u bë më e hapur”. Gjithashtu ajo tha se: “Ndihem e lirë të shprehem në mjedise ku jam e sigurtë. Në përgjithësi nuk kam frikë të jem vetvetja. Unë besoj se në thelb të gjithë ne jemi të lirë, por nuk duhet të kemi frikë të shprehemi.”
“Mund të them se nuk kam pasur asnjë ndihmë apo pengesë në arritjen e qëllimeve të mia, e kam vlerësuar shumë lirinë personale dhe kam bërë gjërat sipas mënyrës time. Sa herë që gjeja diçka që më pëlqente ta bëja, i përkushtohesha. Pra, mënyra se si e shoh unë është kështu: ju gjithmonë mund të arrini atë që dëshironi, por çfarë kosto ka që ta bësh të ndodhë?” tha një tjetër nga personat e intervistuar (F, 51). Kur e pyeta nëse ndihet që ka njëfarë garancie për të, ajo u përgjigj: “Ndonjëherë më duket sikur ne (kjo shoqëri) nuk kemi kapacitet të mendojmë sepse nuk e njohim veten. Nuk ka qenë kurrë më e lehtë në këtë shoqëri të shtyjmë ndryshime, por ne të gjithë reagojmë shpejtë dhe asnjë nga veprimet tona nuk është proaktiv nga natyra. Dhe shteti ynë është i tillë. Ndihem e sigurtë me atë që kam arritur të krijojë për veten time, por jo për atë që më ofron ky shtet, jam në ankth për të ardhmen dhe p.sh. çfarë pensioni do të marr dhe si do të mbulojë ai pension nevojat themelore”.
Pse është kjo e rëndësishme?
Sepse “mentaliteti i tufës”3 në këtë shoqëri na kërkon t’i dorëzohemi këtij cikli:
- Shumica e njerëzve i japin vetes lirinë për të diskutuar të tjerët dhe për të bërë komente për ta dhe jetën e tyre (shpesh negative, shpesh për pamjen fizike, besimet, vendimet e jetës). Këto komente ose do t’i thuhen drejtpërdrejt subjektit (duke ndikuar në një kakofoni mendimesh te ta që me shumë gjasë do ta kufizojnë shprehjen e tyre) ose do t’u shprehen të tjerëve (duke krijuar një bindje te të tjerët se njerëzit do të flasin keq për ju dhe duhet të jeni të kujdesshëm me mënyrën se si shpreheni dhe silleni).
- Sikur folësi ashtu edhe subjekti i tyre lihen të besojnë se të tjerët po ju shikojnë dhe ju analizojnë, duke rezultuar në një frikë nga tjetri, tendencë për të kënaqur njerëzit, hiper-vigjilencë dhe frikë nga shprehja në publik.
- Si folësi ashtu edhe subjekti lihen të procesojnë komentet negative në lidhje me pamjen ose bindjet e tyre privatisht (varësisht se sa të përgatitur janë në sferën emocionale dhe intelektuale). Për shkak se mendimi se njerëzit gjykojnë/flasin për ju është kaq i përhapur, ai transformohet në “The Big Other” në mendjen tonë – idetë dhe vlerat me të cilat duhet të jetojmë dhe të shfaqemi. Devijimet nga kjo normë e “The Big Other” do t’i lë njerëzit të cunguar nga paaftësia që të pranojnë brenda tyre shprehjet dhe veten e tyre unike.
“TË JESH NJË GRUA NË BALLKAN ËSHTË NJË SPORT EKSTREM”
Të dyja nga gratë e intervistuara folën për faktin se në mënyrë të përsëritur kanë qenë subjekt i komenteve për pamjen e tyre fizike, të shoqëruara me pengesa në shprehjen e tyre (fizike).
B. Kërko (babain) një autoritet që të hapë rrugën për ju
Në këtë pjesë, unë i pyeta të intervistuarit se nëse ata mendonin se ishin një faktor ndikimi aktiv në sferat shoqërore/politike, nëse kishin tentuar ose krijuar një lëvizje apo institucion të suksesshëm, nëse kishin kërkuar plotësimin e të drejtave të tyre sociale ose politike, apo mund të përmendnin një sukses të dalur nga vetiniciativa e tyre. Unë u përpoqa të mas nëse këta njerëz mendonin se dikush i ka marrë për dore për të arritur te ajo që ata kanë dashur në jetën e tyre, apo nëse ishte një bëmë kryekput e tyre.
Për fatin tim të mirë, të intervistuarit ishin të gjithë mjaft aktiv në sferën sociale dhe të vetdijshëm për politikën. Ata të gjithë kishin krijuar një nismë joformale, një institucion formal, ose një lloj entiteti si pjesë e shoqërisë civile. Një nga të intervistuarat (F, 28) tha: “Nuk më pëlqen koncepti/mënyra e jetesës transaksionale (që unë duhet të bëj diçka për ty dhe më pas ti të bësh diçka për mua për të ma kthyer nderin). Për momentin, duke qenë se nuk kam krijuar ende familjen time dhe paratë nuk kanë aq kuptim për mua, ndihem sikur nuk kam asgjë për të humbur dhe mund të ngre zërin (të avokojë publikisht). Këtu të gjithë flasin dhe ankohen gjatë gjithë kohës, pastaj shkojnë në shtëpi dhe ulen në rehatinë e tyre. Njerëzit nuk marrin masa sepse nuk mund të rrezikojnë punën dhe sigurinë e tyre.” Duke u shtrirë në të njëjtin argumentim, i intervistuari (M, 33) tha: “Natyrisht që disa pjesë të vetes duhet hedhur poshtë për t’u pranuar (nga shoqëria) në një mjedis kaq të paqëndrueshëm dhe të pasigurtë. Kushtet (e rënduara) financiare në shoqërinë tonë definitivisht e bëjnë bazën tonë për veprim shumë të lëkundshme.”
E intervistuara (F, 51) është angazhuar në shoqëri civile për 20 vite me rradhë. Ajo tha: “Nëse je pjesë e shoqërisë civile këtu, duhet të jesh besimtar, të ngresh zërin dhe të shtysh ndryshime nga poshtë-lart. Nuk mund të jesh materialist. Unë kam themeluar një institucion i cili ka kontribuar në formësimin e vetdijes civile dhe kulturës politike dhe kjo është arritur vetëm falë punës rigoroze. Nuk mund të shesësh budallallëqe për 20 vjet. Megjithatë, këtë nuk mund ta quaj suksesin tim sepse nuk e kam bërë vetëm.”
Ajo foli edhe për pengesat që ka përjetuar gjatë rrugës: “Jam e dekurajuar nga pengesat ekonomike në vend. Unë jam e shqetësuar nga fakti që nuk po mundemi të kemi dorë në forcimin e shtetësisë (sovranitetit në skenën ndërkombëtare) së Kosovës dhe më duket se pa e hequr qafe këtë çështje nuk do të lirohemi. Gjithashtu ndihem e ngulfatur nga pamundësia për të lëvizur lirshëm jashtë vendit. Sipas meje kjo ka një efekt të dukshëm tek të rinjtë tanë: pavarësisht se sa “evropianë” mund të duken, sjelljet e tyre janë mjaft të izoluara”.
Pse është kjo e rëndësishme?
- Mobiliteti social i njerëzve në Kosovë ka ndryshuar radikalisht nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë në Republikën Demokratike të Kosovës. Kjo ka krijuar një ndryshim të menjëhershëm në shoqëri dhe efekti i kësaj tronditjeje ende jehon – njerëzit janë luhatur prej të qenurit të varur nga garancia që i’u jep shteti në të qenurit peng e asaj se çka ofron sfera private, nga ‘të pasurit një garantues (shteti)’ në të lënë në mëshirë të fatit – të sigurojnë mbijetesën e vet ose të varur nga burimet familjare. Duket thuajse nuk kemi qenë në gjendje të pranojmë ende këto ndryshime (ndryshimi i sistemit ekonomik dhe politik). E lëre më të jemi të mirëinformuar dhe mjaftueshëm kritik për të vendosur vet për to.
- Palëvizshmëria e mjeteve dhe aseteve financiare dhe qasja e limituar në burime financiare i ka bërë njerëzit më pak të zëshëm dhe aktiv politikisht. Kjo për shkak të mundësive të pakta për punë, konkurrencës së lartë mes aplikantëve të rinjë dhe fakti që punët e ofruara këtu kërkojnë që të “keni dhjetë duar” në mënyrë që të nxirrni një fitim minimal, që shërben thjeshtë për mbijetesë.
- “Kujdesi për të ruajtur fytyrën”, duke qenë se mendimet politike dhe sjelljet publike janë barazuar me personalitetin e njerëzve, nuk është vetëm çështje mentaliteti apo e përmirësimit dhe ruajtes së statusit shoqëror. Në sytë e mi, është gjithashtu çështje e mbrojtjes dhe përshtatshmërisë së tyre për të rritur qasjen në mundësi ekonomike.
“ME NJË LULE NUK ÇELË PRANVERA”
C. Jini të lirë, por qëndroni nën vëzhgim
Në këtë pjesë, i kam pyetur të intervistuarit nëse ndihen të vëzhguar apo gjykuar në jetën e tyre, nëse njerëzit në jetën e tyre kanë dorë në vendimet që ata i marrin, nëse ndihen të lirë në hapësira publike, nëse mendojnë se mund të kenë ndikim në vendimmarrjen politike dhe nëse ata mendojnë se ky sistem politik a qeverisje i përfaqëson ata siç duhet.
E intervistuara (F, 51) tha: “Gjithmonë kemi me vete një dozë të asaj se ‘çfarë do të mendojnë njerëzit’. Ndonjëherë u them fëmijëve të mi të mos bëjnë disa gjëra ose të mos veprojnë në një mënyrë të caktuar, dhe më pas vërejse e kam thënë këtë sepse e di se si mendon shoqëria, dhe se nuk është ajo çfarë unë mendoj në të vërtetë. Megjithatë, unë nuk jam dikush që del jashtë kutisë me veprimet e mia. Nuk ndihem e vëzhguar, përveçse sa i përket trupit dhe pamjes fizike.”
E intervistuara (F, 28) tha: “Unë jam rritur përkrah kushërirës sime, me të cilën njerëzit më krahasonin gjithë kohën. Për shkak të kësaj fillova të kem një zë në kokën time që më thoshte se duhet të jem si ajo në mënyrë që të më pëlqejnë. M’u desh shumë kohë për të pranuar se unë jam kjo që jam dhe kaq. Shumë njerëz kanë besuar se do të dështoja në jetë, pasi prindërit e mi nuk kanë përfunduar edukimin e lartë. Njerëzit më mveshin shumë epitete: e çuditshme, agresive, mendjemadhe. Për shembull, disa e keqinterpretojnë sinqeritetin tim si ‘agresivitet’.
Ajo ndërlidhte ndikimin e gjendjeve emocionale në simptomat trupore me një shembull tejet interesant: “Gjithçka fillon në familje: “Mos e bëj këtë, mos e bëj atë – Njerëzit do të thonë kështu, njerëzit do të qeshin me ty”. Kam vuajtur për një kohë të gjatë nga ky presion. Për shkak se ndjeja nevojën për t’u sjellë në një mënyrë të caktuar sepse përndryshe njerëzit do të më gjykonin, kjo gjë filloi të më shkaktonte shumë probleme në trup. Kam pasur diagnozë të skoliozës gjatë gjithë jetës sime, vetëm kohët e fundit e kam kuptuar se kjo gjë më ka ndodhur sepse kur nuk ndihem vetvetja trupi im sillet në përputhje me rrethanat – të gjithë muskujt e mi kontraktohen. Mendoj se shumë shqiptarë kanë probleme me stomakun dhe dhimbjet e shpinës, sepse ne nuk shprehemi sinqerisht, mbajmë emocionet e vështira brenda nesh. Ndoshta ke pasur ndonjë eksperiencë dhe thjeshtë ke dashur të thuash: të dua, më fal, të urrej, por përkundrazi ti e mban atë brenda. Dhe më pas vëren në diskutimet tona se ne nuk dijhë si të komunikojmë me të vërtetë, shumica e njerëzve janë duke folur me zë të lartë apo edhe duke bërtitur dhe në të vërtetë nuk thonë asgjë.”
Në lidhje me lirinë e tij në hapësira publike, i intervistuari (M, 33) tregoi një histori personale: “Kur isha fëmijë ishte një park në lagjen tonë ku shkonim të luanim. Parku ishte pronë komunale. Megjithatë, njerëzit na thoshin gjithmonë: ‘Mos shkoni atje, është parku i Dautit’. Gjithmonë kam pasur një ndjenjë që menjëherë kur largohesh nga shtëpia duhet të jesh i vetdijshëm, të vlerësosh dhe të mendosh dy herë për atë që bën jashtë shtëpisë. Hapësira publike nuk të fton, kështu jemi mësuar të mendojmë dhe të ndjejmë.” Në çështjet e realizimit të vullnetit civil, ai u shpreh se: “Qasja jonë duhet të jetë më e sofistikuar, këtu ne shihemi nga të tjerët si një “asgjë”, përkundrazi duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin si qenie njerëzore të integruara dhe që përkasin këtu”.
Për sa i përket sistemit politik dhe të qeverisjes, e intervistuara (F, 51) tha: “Njerëzit që duan të luajnë Zotin janë shumë problematik. Duket sikur kjo qeverisje ka shtypur zërat kritik në këtë shoqëri. Ndjehet sikur vendi është mbytur nga politikanët që duan të “ruajnë portën”, asnjë investim apo logjikë zhvillimi nuk është e pranishme, vetëm veprime politike reaksionare – duke u përpjekur të tejkalojnë atë që është bërë gabim nga qeveritë e kaluara. Shteti ynë nuk arrin t’u japë hapësirë njerëzve me pretendimin se nuk do t’i dorëzohen korrupsionit dhe të kthyerit mbrapa, por thjeshtë nuk janë të gatshëm të japin dhe të mbështesin kauza të denja. Më tej, “Në thelb, unë mendoj se ne jemi autokratikë në mentalitet dhe ende po shtyhemi që ta pranojmë demokracinë – ne nuk e kuptojmë thelbin e saj. Njerëzit ende duan regjimin jugosllav; ata thonë: ‘Atëherë ishte më mirë’. Pse ndodh kjo? Në regjimin jugosllav një përqindje më e madhe e familjeve gëzonin kushte më të mira jetese – kishin para, mundësi për të udhëtuar lirshëm, më shumë liri. Kjo nuk do të thotë se nuk ishte politikisht sfiduese, si p.sh. helmimet në shkolla, vështirësitë për t’u mobilizuar publikisht. Ose fakti se thjeshtë nuk ishte kohë e favorshme për grupet e tjera më pak të privilegjuara në shoqëri, për shembull në Santea, ku rrinim, policia jugosllave hynte dhe kontrollonte letërnjoftimet tona. Burrat nga Prishtina do t’i kalonin pa probleme zakonisht, por, nëse mes nesh ndesheshin me një burrë me prejardhje nga një fshat, e nxirrnin nga kafeneja dhe e keqtrajtonin.”
Pse është kjo e rëndësishme?
- Në mes të një të kaluare autoritare, të tashmes që gjendet në një udhëkryq (një shtet që qytetarëve i vjen si “i huaj”) dhe premisës së një Kosove sovrane dhe plotësisht demokratike të së ardhmes, ne jemi të detyruar të pyesim “Cilat janë vlerat tona si kosovarë?”.
- Rreziqet ekzistenciale janë të lidhura drejtpërdrejt me aftësinë e dikujt për t’u shprehur lirisht. Obligimi për të siguruar të ardhurat mujore në një mjedis të paparashikueshëm nuk u lejon shumë mundësi njerëzve që të jenë agjentë të lirë dhe aktivë.
- Për më tepër, agjentët e sigurisë (si policia, d.m.th. agjentët e shtetit) nuk ofrojnë vërtetë siguri në të gjitha rastet, sepse paragjykimet e tyre hyjnë në lojë (me grupe të caktuara sikur gratë, anëtarët e komunitetit LGBTQ+ etj.)
“KORRUPTIM ËSHTË EDHE DËSHIRA PËR TË KAPUR GJITHË HAPËSIRËN. NJERËZIT QË DUAN TË LUAJNË ROLIN E ZOTIT JANË SHUMË PROBLEMATIK.”
REFLEKTIM
Kush është në të vërtetë në gjendje të prodhojë njohuri?
C1: Fleksibiliteti mendor (neuroplasticiteti)4 nuk është lehtë i pranishëm. Konsiderohet se mendimet duhet të mbahen pranë zemrës sepse ato përbëjnë identitetin tuaj. Në sytë e mi, pamundësia për të pranuar mendime dhe mënyra tjera të të qenurit dhe të jetuarit është shkak i mungesës së pranimit të vetes dhe pjesëve tuaja që dëshironi t’i fshehni nga shoqëria. Ekziston një mungesë e kritikës kulturore, e avokimit dhe e dialogut të hijshëm që shkon përtej logjikës së argumentimit ad hominem.5
C2: Kjo është një shoqëri ku njerëzit janë shumë të varur nga njëri-tjetri. Nuk është çudi pse kjo gjë ndodh, të gjeturit e mënyrave për t’u bashkuar dhe solidariteti na kanë ndihmuar të mbijetojmë dhe të avancojmë shoqërinë. Kjo është diçka shumë e bukur, bashkësia që krijohet në këtë shoqëri. Megjithatë, bashkësia nuk duhet të nënkuptojë se nuk ka vetanalizë, vetaktualizim, inteligjencë emocionale, apo pamundësi për të folur nga zemra dhe për të gjetur një vend ku dëgjohemi – jo vetëm një kulturë e të qenit i varur nga të tjerët emocionalisht dhe materialisht.
C3: Realiteti fshihet në trup – Ndikimet emocionale shfaqen në problemet dhe bllokimet e trupit gjithnjë e më shpesh. Ndërvarësia e njerëzve mund dhe duhet të ndodhë për aq kohë sa aftësia e trupave për të jetuar dhe marrë frymë lirshëm nuk pengohet, për aq kohë sa njerëzit nuk janë të kushtëzuar të mendojnë se mund të mbijetojnë ose të jenë mirë vetëm nëse jetojnë, marrin frymë dhe performojnë në një mënyrë të caktuar.
- Superego është një term i krijuar nga Sigmund Freud, i cili i referohet pjesës së mendjes së një personi që vepron si një ndërgjegje vetëkritike, duke reflektuar standardet sociale të mësuara nga prindërit dhe mësuesit.
- The Big Other është koncept në psikoanalizën e Jacques Lacan, që ka të bëjë me rendin simbolik që ekziston për një subjekt individual (gjuha, ligji, kultura) dhe rrjedhimisht zërin e përbrendësuar që na thotë se si mundemi dhe duhet të veprojmë.
- Mentaliteti i tufës përshkruan se si njerëzit ndikohen nga të tjerët për të adaptuar sjellje të caktuara mbi një bazë kryesisht emocionale dhe jo racionale.
- Neuroplasticiteti është aftësia e trurit për të ndryshuar dhe t’u përshtatur si rezultat i përvojës individuale.
- Ad hominem është një gabim logjik i cili ndodhë gjatë debatit apo argumentimit. Ad hominem ndodhë kur në vend se të argumentojmë kundër argumenteve të personit, ne sulmojmë karakterin apo atributet e tyre personale si një mënyrë për të diskredituar argumentin e tyre.